Nexhmije Pagarusha

Nga Wikiquote
Ky artikull nuk përmban asnjë referim. Për pasojë, besueshmëria në të lë për të dëshiruar. Ndihmoni të shtojmë burime sipas udhëzimeve të përshkruara te Ndihmë:Referimi.


Nexhmije Pagarusha (7 maj 1933 - 7 shkurt 2020) ka qenë një këngëtare dhe aktore shqiptare. Ajo mbahet si mbretëresha e muzikës shqiptare.

Thënie[Redakto]

  • Falenderoj Zotin që i takoj këtij populli me një kulturë të lashtë, të madhe e të mirë. Unë me çfarë kam punuar, e ndjej veten si një pikë uji në oqeanin e të mëdhenjve…
  • E kam dashur shumë dhe kam përjetuar diçka shumë të madhe nga populli im, si në Kosovë, si në Shqipëri, si në diasporë… Kur kam filluar të këndoj kam qenë e vetme. Më parë tek ne ka pasur botëkuptime të tjera. Edhe atëherë ka pasur zëra të bukur. Tani kur po i shoh këta këngëtarë të rinj që janë shumë, them sikur të isha e re e të udhëtoja me ta. Dikur kam udhëtuar unë vetëm, me veshjen e bukur kombëtare dhe me këngën shumë artistike të kombit shqiptar…
  • Le të kthehemi pak mbrapa në histori dhe të mendojmë se sa e kemi dashur dhe e kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Tani kjo nuk ekziston më dhe mbetet brenga ime. Do Zoti ndryshojmë, ndoshta ndryshojmë edhe këtu, edhe atje. Dëshiroj që të jemi prapë ai populli që kemi vuajtur shumë po e kemi përballuar çdo lloj vështirësie.
  • Për mua nuk ka vlerë paraja. Unë jam e pasur. Jam e pasur me duartrokitje dhe mirënjohje.
  • Vetëm me angazhim të madh mund të ndërtojmë një shtet çfarë u ka hije shqiptarëve dhe të jetojmë të lumtur.

Thënie për të[Redakto]

  • …Kosovën, të cilën duhet ta dish e ta ndjesh me tërë qenien… Pse ai që njëherë e njeh, do të mbetet në zemër përherë, edhe natyrën e saj, edhe njerëzit e saj, edhe vallet, këngët e saj që mahnisin gjithkënd që i sheh edhe i dëgjon. Në këtë bukuri, në atë vrer edhe në këtë gazmend lindi dhe u rrit këngëtarja … Ajo që këndoi me gjuhën e shpirtit e të gjithë neve për fushat pjellore dhe malet tona flladitëse, pikëllimin e thellë për kurbetçinj që s’kthehen më, për dashurinë që askund si këtu, në këngën e saj, të çon peshë, të lartëson… Sepse Nexhmija është kjo, moti thuhet: Bilbili i Kosovës, bilbili i këngës sonë.
Fragment nga Esat Mekuli
  • Nexhmije Pagarusha për së gjalli po i përjeton dy jetesa: atë derisa ishte në skenën e këngës dhe muzikës dhe atë pasur ndërprerjes së këndimit aktiv. Ajo i përjetoi dy kënaqësi që janë privilegj i ruajtur vetëm për njerëzit e mëdhenj. Sa këndonte e adhuruan! Kur pushoi së kënduari nuk e harruan! Për dhjetë vitet e fundit ata që e çmuan ia kthyen publikut që gjeneratat që erdhën pasur jetës muzikore aktive të saj ta njohin më mirë një këngëtare që vështirë do të jetë të përsëritet në skenat shqiptare. Ajo duhet të jetë e gëzuar për këtë. E besojmë se vështirë do ta ketë dikush ta imitojë. Vështirë të përsëritet një cilësi zëri e dhunti muzikore që pati ajo. Edhe pse fjalët e fjalitë për te, mund të sillen në rreth e rrethi nuk shkëputet, fjalët gjenden sepse si duket për të do të ketë gjithmonë shumëçka të thuhet. Për një gjysmë shekulli ishin të kënaqur të gjithë ata që e njohën, të gjithë ata që e dëgjuan, ata që patën miqësi me të dhe të lumtur janë ata që i takuan kohës së saj, kohës së shënuar me zërin e Nexhmije Pagarushës.
Rexhep Munishi
  • Nexhmijen e njoh më se gjysmë shekulli. Kam pasur fatin të punoj me të më se 40 vjet. E kemi quajt “Bilbili i Kosovës”, por ajo në të vërtetë ishte Kosova vetë! I falënderohem zotit që kam punuar me të, se prej saj kam mësuar shumë. Nexhmija është Nexhmije! Është këngëtare që lind veç një herë.
Kristë Lekaj
  • E kam njohur Nexhmije Pagarushën që herët kur erdhi për herë të parë në Shqipëri. Përpara se të vinte në Shqipëri unë kisha një rekomandim nga Zehra Mula, shoqja e saj që punonin bashkë dhe më thotë: është një zonjushë me emrin Nexhmije Pagarusha, e cila këndon shumë mirë dhe ka dëshirë që ta dëgjoni. Unë për kuriozitetin tim, pata fatin e madh dhe ajo erdhi në Shqipëri, ishte diku muaji maj. E prezantova para artistëve shqiptarë. Kur ata e dëgjuan këngën elbasanase “Të kam dashtë dhe të dua moj ije” dhe “O moj bukuroshe”, shpejt e shpejt krijuan një koncert apostafat për te, brendapërbrenda koncertit. Ai koncert la mbresë të jashtëzakonshme. La mbresë të jashtëzakonshme, jo vetëm pse këndoi mirë, po iu tregoi edhe atyre artistëve tanë shqiptarë, të Tiranës, të Shkodrës dhe të gjithë qyteteve të tjera të Shqipërisë, iu dha një mësim se si duhet të këndohet kënga popullore, si duhet të interpretohet kënga popullore, çfarë koloriti duhet të ketë kënga popullore. Unë ato ditë që e dëgjova mbeta i mahnitur dhe u dashurova me të kënduarin e saj, në interpretimin e saj dhe me zërin e saj të mrekullueshëm i cili ishte jo vetëm një zë i rastit po ishte këngëtare e cila e kishte mbaru atë shkollë dhe kishte ruajt traditën kryesore. Ne jemi borxhli ndaj saj, këto fjalët e mia janë fukarallëk, është e vështirë të gjenden fjalë për të. Ajo mbetet një ndër këngëtaret më të mira më të shkëlqyeshme të mbarë Shqipërisë jo vetëm të Kosovës.
Avni Mula
  • Kam hequr shumë, jam munduar shumë për ta bindur për të ardhur në Shqipëri për të kënduar pas një kohe shumë të gjatë, për të ardhur edhe si presidente jurie e Festivalit “Kënga Magjike” dhe më në fund u lumturova kur ajo pranoi dhe është një ndër kujtimet më të bukura të jetës time dueti që kam kënduar me Nexhmijen. Po të mos jesh njeri i madh nuk mund të jesh artiste e madhe. Ka shumë artistë nëpër botë, por ka shumë pak artistë nëpër botë. Them se janë pak ata artistë që janë vërtet artistë dhe që e meritojnë këtë fjalë. Nuk është thjesht artiste e skenës, është artiste njeri, është artiste në shpirt. Në të gjitha kontaktet që kam pasur me të kam gjetur artisten me klas, artisten me elegancë, kam gjetur artisten fëmijë, kam gjetur artisten e përkëdhelur, lozonjare. Kam gjetur një njeri vërtet kompleks të cilën unë tashmë e adhuroj. Të gjithë ne shqiptarët duhet të jemi të lumtur që ekziston fenomeni Nexhmije Pagarusha.
Ardit Gjebrea
  • Kur bëhet fjalë për Nexhmije Pagarushën është shumë vështirë të gjenden fjalë dhe të themi atë që duam të themi. Posaçërisht kur sot fjalët kanë filluar ta humbin kuptimin e vet, me që shumë artistë shumë këngëtarë, shumë prezantues prezantojnë vetveten dhe kolegët e tyre me fjalë shumë të mëdha pompoze siç janë: I madhi ky dhe e madhja ajo, i madhërishmi ky… Fjalët kuptim të njëmendët kanë vetëm atëherë kur flasim për Nexhmije Pagarushën. Ajo ishte dhe do të mbetet Bilbili i Këngës Shqipe. Një bilbil që zoti ia dhuroi zërin më të bukur dhe një shpirt aq të madh artistik. Unë për veten time kur kam dëgjuar këngët e Nexhmijës, kam qenë fare i vogël dhe jam rritur me këngën e saj. Tani kur merrem me muzikë në mënyrë profesionale, kur kam mundësi që të analizoj punën dhe veprën e Nexhmijës, mrekullohem me aftësitë e saja interpretuese, me shpirtin e saj artistik. Kam pasur kënaqësinë dhe nderin para 15 vjetësh të kompozoj një këngë. Ishte kjo një dhuratë e vogël të cilën unë kam mundë t’ia dhuroj Nexhmijes. Ka qenë kjo kënga “Nexhi” e kompozuar me tekst të Hivzi Krasniqit. Do të kalojnë edhe shumë vite e dekada që të lindë përsëri një këngëtare e kalibrit të Nexhmijes. Këngëtarët e kanë idol Nexhmijen dhe kënaqësia më e madhe për ta është kur dikush u thotë se “po kënduake si Nexhmija…” Kurse për ata që i japin vetes detyrë që të shkojnë rrugës së Nexhmijes do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë nivelin e saj. Kjo, sepse Nexhmija është e pazëvendësueshme.
Naim Krasniqi
  • E kam thënë edhe disa herë përpara se Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Hysni Zela etj., kanë qenë shkollë e pashmangshme për këngëtarët e gjeneratës time. Është kënaqësi për mua dhe gjeneratat që vijnë që kanë pasur një udhërrëfyes, një zë të mrekullueshëm prej të cilit në çdo kohë dhe në çdo moment njeriu mund të mësojë gjithçka në rrugën artistike që do ta ndjekë më pasur. Unë kam mësuar shumë nga Nexhmije Pagarusha dhe kam çka të mësoj akoma.
Ilir Shaqiri
  • Kosova e ka Mbretëreshën e saj të Këngës shqipe, e ajo është artistja dhe zonja e madhe Nexhmije Pagarusha e cila këtë e ka mbërri me zërin e saj të jashtëzakonshëm shumë të ngrohtë, të ndjeshëm dhe që ka bërë zemrat të dridhen kur është dëgjuar zëri i saj. Ajo ka ditur si t’i qaset publikut.
Sanije Matoshi
  • Nexhmije Pagarusha është institucioni ynë i lartë muzikor, akademia jonë e vetme muzikore, opera jonë e vetme e themeluar para 27 vjetësh, muzeu ynë i vetëm etnografik, monumenti ynë i vetëm folklorik – e megjithatë nuk ishte dhe nuk është nën mbrojtjen e shoqërisë si disa kisha e xhamia. Na, tek e fundit, në mungesë të tempullit të kulturës, e kemi Nexhmijen, në mungesë të filharmonisë kemi Nexhmijen, në mungesë të galerisë e kemi Nexhmijen, në mungesë të… e kemi Nexhmijen. Por, shpesh, edhe në mungesë të Nexhmijes kemi dëshiruar ta kemi Nexhmijen. E, nuk bën! Nexhmija është një! Kjo, që prej ditës së sotme, do të vendoset në “Olimp”, kështu që juve do të ju ngelë vetëm zëri i saj nga disqet e gramafonit dhe shiritat e manjetofonit.
Ymer Shkreli
  • Është e vështirë të gjesh ndonjë njeri që mos të ketë dëgjuar emrin e Nexhmije Pagarushës dhe të mos ushqejë dashuri për të. Nexhmija është nga ato këngëtare që komponentin kohë asnjëherë nuk e shikoi si element bazë të krijimit, ajo përmes metaforës “arrestoi kohën”dhe përmes dritës artistike ndriçoi brendshëm visarin e pashtershëm tradicional. Në mënyrë spontane Nexhmija bën përpjekje “orfeane” për të mishëruar këngën e vet me traditën gjithë-shqiptare. Ajo gjithmonë do të mbetet artiste e madhe e pajisur me një kulturë të gjerë dhe vokal për t’u admiruar. Çdo interpretim i saj është lirikë me kadencë të qetë, që rrëfen përjetësimin artistik, që rrjedh pa pushuar nga burimi i vet…
Lutfi Turkeshi
  • Nexhmijen, Bilbilin e Kosovës, e njoh që i ri përmes këngës së saj të bukur. Jam shoqëruar gjatë me të. E angazhova në filmin “Tre vetë kapërcejnë malin”, në një rol episodik, kam qenë shumë i kënaqur me interpretimin e saj. Më vjen keq që nuk kam pasur më shumë role se ajo i ka merituar gjithsesi, ka pasur afinitet edhe për këtë fushë. Më vjen shumë mirë që iu kujtua dikujt të më pyes për të, se unë e kam shoqe, si të gjithë të tjerët që merren me art. Unë kam këtë bindje sepse është person që rrezaton mirësi, ngrohtësi të pa shpjegueshme, ndriçon një dritë që tërheq të gjithë rreth vetes, me një shpirt të pasur që krijon një atmosferë dhe sens të pabesueshëm të dashurisë, mirësisë me paraqitjen e saj në ekran ose mediat tjera e aq më tepër kur je drejtpërdrejtë me të dhe shkëmben shoqërinë me të. Jam i lumtur që kam pasur fatin të shoqërohem dhe të punoj me të.
Besim Sahatçiu

Thënie të atribuara gabimisht[Redakto]

Referimet[Redakto]

Lidhje të jashtme[Redakto]

:Wikipedia
Wikipedia ka një artikull në lidhje me: